Prokurorët dhe gjykatësit serbë nga veriu do ta bëjnë betimin te presidenti Thaçi

Prokurorët dhe gjykatësit serbë nga veriu do ta bëjnë betimin te presidenti Thaçi

0

Gjyqtarët të cilët pritet të punojnë për sistemin e drejtësisë në veri të Kosovës, pritet që të martën të dekretohen nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, tha se sipas Marrëveshjes së Brukselit, brenda këtij muaji do të nisë puna e gjykatave në veri të Kosovës.

“Të martën është paraparë dekretimi, kurse më 28 tetor duhet të fillojë puna praktikisht. Janë edhe disa përgatitje që duhet të përfundojnë. Mund t’ ju them se janë 42 gjyqtarë që do të punojnë në gjykata. Ne po shpresojmë se gjithçka do të shkoj sipas dinamikës që është paraparë me marrëveshje”, tha Idrizi.

Ai tha se nga kontaktet që janë zhvilluar me autoritet në Bruksel, edhe pala serbe ka kryer të gjitha obligimet në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë në veri.

“Ndërmjetësuesit nga ana e Brukselit kanë thënë se ata do t’i përmbushin të gjitha obligimet, pasi që ne nuk kemi kontakte direkt me ta,[kontaktet]i bëjmë përmes Brukselit. Po shpresojmë që më në fund do të ndodh implementimi i marrëveshjes”, tha Idrizi.

Edhe në Këshillin Prokurorial të Kosovës thonë se janë bërë të gjitha përgatitjet dhe planet sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel, që prokurorët të nisin punën në veri të Kosovës.

Blerim Isufaj, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës tha se nuk e dinë kohën se kur do të nisë puna por, janë të gatshëm për punë.

“Ne po shpresojmë se do të fillojë [puna], por se a do të fillojë punën sistemi i drejtësisë edhe në atë pjesë apo jo, unë këtë aktualisht nuk mund ta them. Për atë që është kërkuar nga ne i kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura, përfshirë rekrutimin e prokurorëve, personelit, sigurimin e objekteve, pajisjeve për punë. Gjithçka është gati për fillim”, tha Isufaj.

Në Këshillin Prokurorial presin që të martën, Presidenti i Kosovës t’i dekretojë prokurorët e rinj, përfshirë edhe ata serbë që do të punojnë në veri.

“Prokurorë, gjithsej janë 14, nëntë do të jenë serbë që do të punojnë në pjesën veriore të Kosovës, kurse pjesa tjetër do të shpërndahet në të gjitha instancat e sistemit prokurorial në tërë territorin e Kosovës”, tha Isufaj.

Marrëveshja e Brukselit për drejtësinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila ka të bëjë me integrimin në sistemin e Kosovës të gjykatësve dhe prokurorëve serbë nga veriu i vendit, ishte arritur në shkurt të vitit 2015.

Presidentët e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, pas një takimi në fund të muajit gusht ishin dakorduar me ndërmjetësimin e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini që zbatimi i Marrëveshjes për drejtësinë e arritur brenda dialogut të fillojë të zbatohet që nga 17 tetor, 2017.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Maja Kociançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini ka thënë se Marrëveshja për drejtësinë në të vërtetë pritet që të hyjë në fuqi nesër.

“Ashtu siç ishin pajtuar presidentët e Serbisë dhe Kosovës më 31 gusht 2017, në marrëveshjen bazë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, Marrëveshja për drejtësinë në të vërtetë pritet që të hyjë në fuqi nesër. Të gjitha veprimet kanë përfunduar për integrimin e personelit serb të drejtësisë në sistemin juridik të Kosovës dhe të dyja palët kanë përmbushur obligimet e tyre në këtë aspekt”, thuhet në një përgjigje me shkrim të Kociançiq.

Ndërkaq, Dushan Radakoviq, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Qendra për përfaqësim të kulturës demokratike”, tha se të martën pritet të ndodhë betimi dhe nënshkrimi i kontratave, në mënyrë që të nisin punën gjyqtarët dhe prokurorët.

“Sipas informatave që kemi, nesër, gjykatësit dhe prokurorët do të kenë transport të organizuar për të udhëtuar për në Prishtinë, ku duhet të nënshkruajnë kontratat dhe një lloj betimi, për të cilin është arritur pajtimi në Bruksel dhe që është neutral ndaj statusit. Personeli administrativ, i cili gjithashtu do të punojë në gjyqësinë e Kosovës, kontratat do t’i nënshkruajnë në gjykatën e EULEX-it, këtu te ne, në veri”, tha Radakoviq.

Me zbatimin e Marrëveshjes për drejtësinë, është paraparë që të shuhen gjykatat dhe prokuroritë serbe në Kosovë dhe në Serbi, të cilat deri më tash janë marrë me lëndët nga territori i Kosovës.

Për rajonin e Mitrovicës është paraparë një Gjykatë Themelore, e cila do të funksionojë në dy objekte. Prokuroria do të funksionojë në një objekt në veri. Gjykatësit dhe prokurorët do të punojnë së bashku dhe nuk do të ndahen mbi baza etnike. Në veri do të vendoset edhe reparti i Gjykatës së Apelit.

Në krye të Prokurorisë në Mitrovicë do të jetë një shqiptar, ndërkaq në krye të Gjykatës së Apelit do të jetë një serb. Aktualisht, Gjykata Themelore e Mitrovicës është duke funksionuar në Vushtrri, ndërkohë që në Mitrovicën veriore është duke funksionuar gjykata në kuadër të sistemit të drejtësisë së Serbisë.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013./REL/Telegrafi/

Related Post

Share.

Comments are closed.