SKANDAL/ Shkolla ‘Liria’ lëshon “vendime” të pavlefshme pune?!

SKANDAL/ Shkolla ‘Liria’ lëshon “vendime” të pavlefshme pune?!

0

Shkolla “Liria” ndan vendime pune pa peshë juridike duke i interpretuar si të jenë VENDIME ose AKTVENDIME pune, raporton SHENJA.

Bazuar në ankesat e disa qytetarëve anonim të cilët na dorëzuan një dokument për të cilin ju është thënë se është gjoja vendim pune, duket se dokumenti i punësimit mban titullin “Odlluka” ose konkluzë, e jo “Reshenie”- ose Aktvendim siç do duhej të jetë, për të patur peshën e nevojshme juridike dhe të jetë në fakt një vendim i vërtetë pune.

Pyetëm avokatin e popullit për një interpretim të këtyre dy dilemave juridike mes “Aktvendimit për punë” dhe “konkluzës”. Ixhet Memeti është i sigurtë se ky është një gabim i madh juridik pasi nuk ekziston një formë e tillë e vendimit të punës, pa titullin “Aktvendim”, ose në gjuhën maqedonase “Reshenie”, dhe pa arsyetimet shtesë ku figurojnë faktet se shkolla ka patur nevojë për një mësues ose punonjës tjetër, dhe pastaj ka hapur konkurs, dhe nga konkursi publik është përzgjedhur personi i caktuar i cili nga marrëdhënia e punës në periudhë të caktuar, do punësohet me afat të pacaktuar pune.

“Në aspekt formalo-juridik, ky akt juridik nuk është adekuat, për hirë të asaj se bëhet fjalë për akt të përgjithshëm e jo për akt individual. Në rastin konkret, udhëheqësi i shkollës apo punëdhënësi, është dashur të sjellë Aktvendim, i cili në vete do të përmban dispozitivin i cili duhet të jetë i qartë dhe të mos lejë dyshime. Për rastin konkret duhet të shkruajë se marëdhënia e caktuar e punës duhet të shndërrohet në të pacaktuar, konfromë këtij, e atij neni e jo vetëm të shkruar bazuar në nenin 22 dhe 46 të Ligjit për Marrëdhënie Pune”, ka deklaruar për TV SHENJA, Ixhet Memeti, avokat i popullit.

Memeti shpjegon se kontrata e punës doemos duhet të jetë e shkruar mirë, pasi në të kundërtën nuk do ketë vlerë dhe supozon se një gabim i tillë mund të jetë bërë qëllimisht.

“Pastaj duhet shkruar edhe arsyetimi. Duhet të jetë faktografik, jo vetëm e sjella këtë vendim dhe hajt kështu. Duhet të arsyetohet…. Mund të prejudikoj vetëm a ka ose jo tendencë për manipulim, por forma juridike është me mangësi të shumta…”, tha më tej Mehmeti.

Kontaktuam edhe Ministrinë e Arsimit për të komentuar formën e këtillë të punësimit, por nga Ministria na njoftuan se përgjigja ende është në përpunim.

Nga Shkolla Liria dhe drejtori i saj Talat Sadiku ende nuk ka asnjë përgjigje pasi edhe pse u paraqitëm me ngulm në telefonin fiks, nuk përgjigjej askush. Sipas burimeve të televizionit Shenja, ditëve të fundit, në periudhë parazgjedhore janë ndarë dhjetëra vendime të tilla pa bazë juridike, të cilat supozohet të shërbejnë për manipulimin e të punësuarve.

Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

Related Post

Share.

Comments are closed.